Më 2013 në Shqipëri 52 vrasje mafioze

f1_13mafi21368439271Vrasjet mafioze kanë gjunjëzuar vendin gjatë këtyre 5 muajve. Bandat kriminale ndihen më të sigurta në bërjen e vetëgjyqësisë, pa iu trembur ligjit dhe burgut. Madje, krimi ka ngritur dorë edhe mbi policinë, duke ekzekutuar dy komisarë dhe një inspektor. Nga 1 janari e deri më sot numërohen plot 48 ngjarje, me 52 viktima. Gazeta “Shqip” ka bërë një hulumtim të ngjarjeve, duke theksuar faktin se të dhënat nuk janë marrë në asnjë zyrë statistikore. Nga vëzhgimi i bërë vihet re se për vitin 2013, dominon fenomeni i vrasjeve pa autor dhe që shpesh thuhet se ekzekutorët kanë qenë vrasës me pagesë. Duket se ky lloj “biznesi” po zhvillohet me ritme të shpejta, pa hasur në ndonjë pengesë prej policisë. Që prej fillimit të këtij viti numërohen plot 14 vrasje mafioze, të cilave nuk u është gjetur autori. Nga statistikat e gazetës, vihet re se muaji më problematik është janari dhe më i qeti muaji mars. Nuk ka kaluar as gjysma e vitit, ndërsa vrasjet vërshojnë dhe njerëzit vriten.

Muaji janar
Në këtë muaj është shënuar një bilanc i frikshëm, me 16 ngjarje dhe 17 viktima. Ngjarja më e bujshme që ka “ngritur” shtetin në këmbë, është vrasja e komisarit të Burrelit, Musa Skura, i cili u vra në krye të detyrës, gjatë tentativës për të kapur në flagrancë një bandë të trafikimit të municioneve luftarake. Skura ka qenë në krye të operacionit dhe në mënyrë të befasishme ra pre e plumbave. Ai gjeti vdekjen disa ditë më vonë prej plagëve të rënda në organet jetësore. Një tjetër vrasje mafioze dhe pa autor është ajo e Admirim Sakos, i cili u ekzekutua në prani të bashkëshortes. E veja e Sakos jeton çdo ditë me tmerrin se mos vrasësit rikthehen sërish, për të vrarë atë së bashku me të birin. Ndihet shumë e pasigurt, duke mos pasur besim se policia do të jetë në gjendje që ta mbrojë. Adimirim Sako njihej si miku më i ngushtë i bosit të drogës, Elton Deliu, edhe ky është vrarë në mënyrë mafioze disa vite më parë. Pas vdekjes, Sako ishte administratori i disa pronave të Deliut. Ky duket se është edhe motivi i vrasjes pa autor. E veja, ndonëse e ka parë ekzekutorin, ajo nuk ka qenë në gjendje që ta identifikojë.

Ndërkohë, emigranti Agron Dervishi 36 vjeç, kishte ardhur në Shqipëri për të kaluar Vitin e Ri, pranë të afërmeve. Ai nuk arriti që të kthehet në Itali dhe vrasja e tij, përveç faktit që nuk ka autor, nuk ka as motiv. E gjitha kjo ngjarje mbeti mister. Policia nuk arriti të bënte zyrtare qoftë edhe një pistë të vetme për vrasjen e 36-vjeçarit. Vrasësi/t lëvizin të lirë dhe ndihen të lehtësuar që policia nuk ka ndaj tyre as një gjurmë.

Në të gjithë vendin muaji janar numëron gjithsej 7 vrasje pa autor. Krimi në familje është regjistruar në dy raste. Në Elbasan, babai vret nusen e djalit së bashku me të birin dhe në Vlorë, djali vret të atin në gjendje të dehur.

Muaji shkurt
Ndërsa në shkurt janë regjistruar 10 ngjarje me 12 viktima. Sërish një kryekomisar ka rënë pre e një atentati. Dritan Lamaj u ekzekutua pranë banesës së tij, në momentin që ka qenë duke lëvizur me makinë. Mbi trupin e viktimës u lëshuan një breshëri plumbash. Autoritetet shtetërore e kanë drejtuar gishtin nga Arben Frroku. Deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes, vrasja e Dritan Lamajt mbetet pa autor edhe pse ka arrestuar një të dyshuar. Ndër të tjera, në këtë muaj dominon mjaftueshëm krimi në familje. Në Kuçovë dhëndëri vret vjehrrën dhe vjehrrin. Në Elbasan, gruaja vret burrin për xhelozi dhe në Ersekë Fatos Kapllani vret të dashurën që e kishte nga një lidhje jashtëmartesore dhe më pas veten, për të njëjtin motiv të lartpërmendur. Një histori që nuk mund të lihet pa u përmendur, është vrasja e vjehrrës nga dy nuset e djemve, pasi vrasëset pretendojnë se ajo i keqtrajtonte gjatë gjithë kohës.

Muaji mars
Fillimi i pranverës ka pësuar një rënie të vrasjeve. Gjithsej janë shënuar 5 viktima. Në këtë muaj, Policia e Tiranës njoftoi arrestimin e autorit të krimit të kineastit të njohur, Bujar Barçi. Ngjarja në fjalë kishte kaluar pa iu kushtuar rëndësi, pasi vëmendja e mediave ishte e fokusuar te ngjarja e Julian Çelës, 10-vjeçarit të zhdukur që prej 30 nëntorit të vitit të kaluar. Askush nuk e mori vesh për vdekjen e kineastit, derisa u bë publik arrestimi i të dyshuarit për vrasje. Policia ka arrestuar mikun e vjetër të Barçit, për ngjarjen e rëndë. Në këtë muaj është regjistruar vetëm një vrasje mafioze, ku viktima Kujtim Kraja, rezulton të jetë i afërmi i ish të fortit të Shkodrës, Mir Koçisë. Të pakta janë gjasat që Krajës t’i gjendet autori që e ekzekutoi.

Muaji prill
Prilli ka regjistruar një numër të lart vrasjesh, por ulje të ngjarjeve mafioze. Sipas statistikave, janë regjistruar 14 viktima, dy prej të cilave pa autor. Më e bujshmja mbetet vrasja e balerinës Sonila Tafa. E reja mbeti viktimë e një breshërie automatiku, në periferi të Tiranës, e cila ka qenë duke festuar me miket e saj. Autori i dyshuar i krimit është Artur Kuliçaj. Personi në fjalë, ndonëse është identifikuar, ende nuk është arrestuar. Familjarët e balerinës janë shprehur se nuk kanë besim në arrestimin e personit që vuri dorën mbi vajzën e tyre. Pavarësisht kësaj, ata thonë se do t’i shkojnë kësaj ngjarjeje deri në fund, duke kërkuar të drejtën.

Vrasje makabre është edhe ajo që është regjistruar në Lushnjë, ku 86 vjeçari Shemsi Muça u ther nga një besimtar mysliman. I moshuari ishte masakruar si kurban në ambientet e xhamisë. Vrasja e boksierit Adrian Levanti, në brendësi të pallatit, mbetet pa autor. Në muajin mars të këtij viti vëllezërit Levanti kanë plagosur me thikë Zef Gjinin. Si të dyshuar për plagosje, policia ka dënuar vëllain e të ndjerit Marian Levanti. Disa javë pas përleshjes mes familjes Levanti dhe Gjini, boksieri ra pre e një atentati nga dy persona. Si të dyshuar policia arrestoi Pjetër Gjinin, i cili 40 minuta pas krimit është gjetur në gjumë, në banesën e tij, në Orosh të Mirditës. Ai është lënë i lirë për mungesë provash. Ndërsa vëllai tjetër, Zef Gjini, sipas sistemit TIMS, rezulton në Angli. Krimi në familje nuk ka munguar as në këtë periudhë. Në qytetin e Lezhës, babai ka vrarë vajzën e tij me pretendimin se e bija ishte imorale. Një ngjarje që nuk mund të lihet pa u përmendur, është vrasja e Ervin Merdinit nga i dyshuari Nik Llakaj. Fillimisht ngjarja u dyshua prej ekspertëve si aksidentale, ku u tha që viktima ra nga biçikleta e për pasojë gjeti vdekjen. Pas daljes së ekspertizës mjekoligjore, rezultoi që Merdini ishte vrarë me thikë.

Muaji maj
Ndonëse ka pak vrasje, ngjarjet janë të rënda. Ekzekutimi mafioz i biznesmenit Hikmet Kotorri krijon frikë dhe mungesë sigurie të jetës së qytetarëve. Në këtë ngjarje policia nuk ka mundur që të mbledhë prova të mjaftueshme për vrasësin/it. Nuk dihet nëse kanë qenë një apo më shumë persona në ekzekutimin e biznesmenit të ndërtimit. Disa javë para vrasjes, ortakut dhe mikut të tij i bënë atentat, duke i vënë eksploziv në makinë. Fatmirësisht ai mundi që të shpëtonte. Ngjarja që është për t’u theksuar në këtë muaj, është përplasja për vdekje me makinë e inspektorit Selman Lena. Ky i fundit ka qenë pjesë e një postblloku policie, për arrestimin e personave me precedentë penalë. Në gjendje të dehur, drejtuesi i mjetit Edmir Koleci aksidentoi për vdekje Lenën dhe plagosi rëndë kolegun e viktimës, Preng Lleshin. Polici tjetër ndodhet në Spitalin Ushtarak dhe ka nevojë për disa ndërhyrje kirurgjikale prej plagëve të marra në trup. Paraprakisht dyshohet se ngjarja nuk është aksidentale, por e qëllimshme. Gjithsesi, ende nuk është dalë në një konkluzion përfundimtar.

Vrasjet e bujshme
Admirim Sako – Një vrasje mafioze dhe pa autor është ajo e Admirim Sakos, i cili u ekzekutua në prani të bashkëshortes. E veja e Sakos jeton çdo ditë me tmerrin se mos vrasësit rikthehen sërish, për të vrarë atë së bashku me të birin

Bujar Barçi – Në muajin mars, Policia e Tiranës njoftoi arrestimin e autorit të krimit të kineastit të njohur, Bujar Barçi. Ngjarja në fjalë kishte kaluar pa iu kushtuar rëndësi, pasi vëmendja e mediave ishte e fokusuar te ngjarja e Julian Çelës

Sonila Tafa – Vrasja më e bujshme e muajit prill është ekzekutimi i balerinës Sonila Tafa. E reja mbeti viktimë e një breshërie automatiku, në periferi të Tiranës, e cila ka qenë duke festuar me miket e saj. Autori i dyshuar i krimit është Artur Kuliçaj

Shemsi Muça – Vrasje makabre është edhe ajo që është regjistruar në Lushnjë, ku 86-vjeçari Shemsi Muça, u ther nga një besimtar mysliman. I moshuari ishte masakruar si kurban në ambientet e xhamisë

Hikmet Kotorri – Ekzekutimi mafioz i biznesmenit Hikmet Kotorri ka krijuar frikë dhe mungesë sigurie të jetës së qytetarëve. Në këtë ngjarje policia nuk ka mundur që të mbledhë prova të mjaftueshme për vrasësin/it

Më poshtë, mund të KOMENTONI në lidhje me artikullin.


Perkthimet



-->