Historia e 6 vëllezërve, dhurojnë organet për të shpëtuar vëllain

65810[1]MALESI E MADHE - Një veshkë. Një organ, diku aty, anash barkut. E themi kështu, pa të keq dhe kalojmë tutje, në bisedën e radhës. Një veshkë. Vetëm 10 centimetra. Që për Viktor Nocin është sa një jetë. Jo vetëm një jetë. Ai ka rilindur njëherë. Por si një sfinks, pret të rilindë për herë të tretë. Jo nga hiri i tij, por nga mishi i vëllezërve. Fati i tij më i madh është se ka shtatë vëllezër. Njëri e ka dhuruar tashmë një veshkë, e cila po e mbaron “funksionin e saj” pas 20 vjetësh. Por sërish, një tjetër vëlla po bëhet gati, t’i dhurojë jetë nga jeta e tij, vëllait, atje larg, në Amerikë…
Sëmundja e Viktorit nisi shpejt, në moshën 7-vjeçare, në Malësinë e Madhe. Diagnoza ishte e thjeshtë në atë kohë, infeksion në veshka, por nuk ishte vetëm Viktori, “problem” në familje. Ishte vëllai i një motre dhe gjashtë vëllezërve të tjerë. Tetë fëmijë. Babai, përpara se të lindnin fëmijët ka bërë burg, për moskallëzim të vëllait të gruas, i cili kishte kaluar kufirin. Vdes në 1982, duke i lënë një barrë të rëndë mbi supe nënës së tetë fëmijëve. E kush mund të interesohej për Viktorin në atë kohë?! Viti 1990 mund të quhet viti “i lig”, por edhe njëfarë kthese. Disa prej vëllezërve të familjes Noci vendosin të largohen nga Shqipëria. I pari që largohet në 14 korrik është Agostini. I dyti Viktori, në 13 shtator, i treti Arbeni në 11 janar dhe Leka, në 13 janar. Kur e pyet vëllanë e madh të kësaj familjeje, Luigjin, (që të gjithë i thërrasin Biq) sot 49- vjeçar se pse kjo ikje në këtë formë, ai përgjigjet me një qetësi ngjethëse: “Nëse do të kishte ndonjë rrezik e të dalloheshin në kufi, të mos vriteshin të gjithë një herë”. Dhe si duket parandjenja… Fati i keq i rastis sërish Viktorit të sëmurë. Ai diktohet nga forcat kufitare, qëllohet dhe plagoset në shpinë, por një peshkatar, shqiptar i Malit të Zi, e ka shpëtuar. Kalvari i vuajtjeve të Viktorit, sot 44 vjeç, nuk mbaron në shtëpinë e peshkatarit, apo në spitalin malazez. Ai është dërguar në kampet e refugjatëve në Beograd, ku ka qëndruar së bashku me vëllezërit e tjerë deri në fund të 1991, e pasi kanë fituar azilin politik në USA, janë larguar drejt “tokës së premtuar”.
Në Amerikë
Kishte ardhur koha që Viktori të shihte veten. Ishte shumë i ri dhe jetën e kishte përpara. Por veshkat… veshkat nuk punonin. Kishin mbaruar së funksionuari, ndoshta që në “ngricën”, apo në stërmundimet jugosllave, këtë nuk e dinte njeri. Por mjekët amerikanë e dhanë diagnozën… veshkat nuk funksionojnë, duhet transplant. “Veshkat nuk funksionojnë, Veshkat nuk funksionojnë”, secili vëlla përsëriste si në kllapi këtë shprehje, këto pak fjalë që do të thoshin jetën e vëllait të tyre. Duhet transplant… Nëse do të prisnin radhën, mund të ktheheshin sërish pas shumë vjetësh… Atëherë vëllezërit, “o nëna i kish bërë për kohë të ligë”, të gjithë pa hezitim dhe pa përjashtim, janë ofruar vullnetarë. Pas analizave të përshtatshmërisë, Leka, sot 40 vjeç, bëhet dhuruesi dhe shpëtimtari i jetës së vëllait. Vëllezër jo vetëm nga gjaku, por edhe nga veshka. Në vitin 1993 Viktori dhe Leka lënë spitalin pas operacionit të suksesshëm të transplantit. Nis një kohë tjetër. Në një vend tjetër. Me ambicie të tjera. Familja bashkohet sërish e gjitha, vëllezërit dhe nëna. S’ka gjë pse në Amerikë. Gati të gjithë marrin nënshtetësinë amerikane. Punojnë suksesshëm në firma të ndryshme, madje edhe menaxhojnë disa prej tyre. Nis t’u forcohet besimi tek Zoti, sepse kanë lënë pas një mal me problem dhe ndoshta edhe hallin më të madh e zgjidhën në shtetin dikur të ndaluar “nga Zoti”.
Me kokën pas
Por fati… Ndoshta u ka dhënë shumë. Ndoshta është mërzitur nga sukseset dhe dashuria e kësaj familjeje për njëri- tjetrin, për gatishmërinë që ata të sakrifikohen për njëri- tjetrin. Ai sërish qëllon në atje ku “peri është më i dobët”. Tek Viktori. Pas 20 vjetësh ai ka nevojë sërish për një tjetër veshke. O Zoooot! Një tjetër vëlla bëhet gati të heqë veshkën e tij për të shpëtuar jetën e vëllait. Një tjetër Lekë, si 20 vjet më parë. Nga shtatë vëllezër, tre do të jenë vetëm me një veshkë. Por njëri vëlla do të ketë provuar katër të tilla. “Kur e morëm vesh, u tronditëm”, thotë Luigji. Por edhe fati nuk është aq i zi. Si duket do t’i provojë këta vëllezër, si ata të përrallave, deri ku i kanë limitet, këta vëllezër që si dikur në fshatrat e largët të Shqipërisë së Veriut, mblidheshin rreth nënës e diskutonin (sot po njësoj mblidhen, veçse në Amerikë), ata tregohen të gatshëm secili të falë sërish një veshkë. “Nënë Tereza ka thënë, “në këtë botë nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri të madhe”, thotë Luigji. A mund të quhet e vogël? A mund të quhet dashuria e madhe në këtë rast? Dashuria për vëllanë këtu nuk ka të matur, është e pakufi. Ata nuk janë më në vitin 1991, refugjatë me sytë nga qielli, që shpresën e vetme për jetën e vëllait kanë trupat e tyre. Sot janë të martuar, me biznese, të kamur, ndërhyrja do të bëhet pas pak muajsh dhe deri atëherë, ata mund ta sigurojnë një veshkë tjetër, ta blejnë ndoshta… Por jo! Ata janë rritur në gjurmët e njëri-tjetrit. Kanë marrë erën e rrobave të vëllait më të madh. Nuk do të pranonin kurrë që një gjë e huaj, qoftë edhe veshka shpëtimtare të hynte mes tyre. Ata vendosin sërish të bëjnë analizat… Marjani, 35 vjeç është dhuruesi. Doktori që do bëjë ndërhyrjen quhet Jeffry CooperMD, në një nga spitalet më të mirë në botë në Boston, me siguri 99 për qind, megjithëse data nuk është vendosur ende… Por tani nuk ka më rëndësi. Jeta e vëllait është në duar të sigurta. Luigji, Agostini, Arbeni, Leka, Marjani dhe Leonardi tani janë më të qetë. Ndoshta edhe për një periudhë të gjatë kohe, Viktori nuk do të jetë në rrezik. “Por nëse jo, kemi edhe katër trupa të tjerë rezervë, nga 20 vjet secili, besoj se mjaftojnë”, shprehet vendosmërisht vëllai i madh. Një dashuri që nuk njeh skaje. E thjeshtë, e heshtur, që nuk mund ta imagjinosh, e aq më pak ta përshkruash, duhet vetëm ta ëndërrosh, madje edhe me sytë mbyllur. Gjashtë vëllezër, që bëhen “therror” për të shpëtuar njërin vëlla, vetëm në baladat epike shqiptare mund t’i gjesh. Por sot, edhe legjendat nuk mund të hyjnë më në trillime. Nocajt e Shqipërisë, atje larg në Amerikë, e kanë kthyer legjendën në të vërtetë.

Është e paktë t’u thuash këtyre vëllezërve “jeni mishërimi i dashurisë vëllazërore”. Ata janë vëllezërit heronj. Fat të mbarë, Viktor!

Më poshtë, mund të KOMENTONI në lidhje me artikullin.

Perkthimet


-->