Ftesa për seks e çoi drejt vrasjes

POLDitën e parë të majit 2012, për mese katër orë, ajo e thërriste në telefon Fidan Shabin duke i premtuar marrëdhënie seksuale. Por, pasi kishin shkuar në banesën e saj, në mesnatë, vajza e të ndjerit Sali Dukati e kishte ngjitur Shabin në tavan ku e kishte qëlluar në kokë e trup, siç dyshohet për motive hakmarrëse, pasi besonte që ai kishte hedhur bombën që shkaktoi vdekjen e të atit. Aktakuza e prokurorit flet edhe se si dy të pandehurit, Besarta Harxhi dhe A.Ll, kishin fshehur provat dhe e kishin mbuluar kufomën me qese.

Vrasja ende e pazbuluar e Salih Kastratit, argjendarit të njohur si Salih Dukati, pati shokuar vitin e kaluar Pejën, qytetin që ka qenë pronë e një numër vrasjesh të rënda pasluftës.

Familjarë kishin deklaruar se argjendarit i ishte kërkuar haraç nga politikanët e vendit, por pohimet e tyre ende nuk janë konfirmuar nga organet e drejtësisë.

Kastrati kishte ndërruar jetë në moshën 63 vjeçare verën e vitit 2012 pas plagëve të marra nga hedhja e bombës në oborrin e shtëpisë së tij.

Fillimisht ai ishte plagosur më 14 mars 2012, por ka vdekur pasi ka kaluar një muaj në gjendje kome.

Për t’i qëndruar pranë babait të saj gjatë ditëve të fundit të jetës, vajza Besarta Harxhi (mbiemri i saj martesor) ishte kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetonte prej tri vitesh.

Njëzetetetë vjeçe, Harxhi, me vete në Kosovë kishte edhe vajzën e saj të vetme pesëvjeçare.

Ajo ka përfunduar në paraburgim, një muaj pas vdekjes së të atit, më 8 maj 2012, pas dyshimeve që ishin ngritur në lidhje me zhdukjen dhe pastaj vrasjen e Fidan Shabit.

“Vrasja e Shabit është kryer nga Besarta për qëllime hakmarrëse pasi që ajo mendonte se ai ishte një ndër personat që hodhi bombën e dorës në oborrin e shtëpisë së babait të saj, me pasojë vdekjen e këtij të fundit” Prokuroria

Shabi ishte zhdukur më 1 maj 2012 dhe ishte gjetur i vrarë më 12 maj 2012 në një banesë private, afër ish-stacionit të trenit në Pejë.

Prokuroria pretendon se vepra penale e vrasjes së Shabit është kryer nga Besarta për qëllime hakmarrëse pasi që ajo mendonte se ai ishte një ndër personat që hodhi bombën e dorës në oborrin e shtëpisë së babait të saj, me pasojë vdekjen e këtij të fundit.

Harxhi ndodhet në paraburgim që nga ajo kohë ndërsa gjykimi kundër saj dhe të miturit A.Ll sapo ka filluar.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar aktakuzën e prokurorit Ali Uka kundër të pandehurve Besarta Harxhi dhe të miturit A.Ll. Dokumenti akuzues prej 26 faqesh mban datën 27 nëntor 2012 dhe përmban gabime të shumta gjuhësore.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale të vrasjes së rëndë respektivisht të ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë.

Të dy të pandehurit kanë lidhje familjare sepse nënat e tyre janë vajza të axhës në mes vete, ka gjetur prokuroria.

Prokurori Uka ka dhënë një version të tij përmes aktakuzës për mënyrën dhe rrethanat në të cilat ai beson se ka mundur të ndodhë vrasja e viktimës Fidan Shabi.

Më 1 maj 2012 rreth orës 19:30, Besarta kishte kontaktuar përmes mesazheve telefonike me viktimën Fidan Shabi me ç’rast ishin dakorduar të takoheshin në mesnatë në banesën e saj e cila ndodhet afër stacionit të trenave në Pejë.

Ajo i kishte premtuar Fidanit se do të kishin marrëdhënie seksuale.

“Ajo e fton Fidanin që të ngjiten në tavanin e banesës dhe aty në mënyrë të paskrupullt nxjerr revolen dhe qëllon të ndjerin disa herë në kokë dhe në trup” Prokuroria

Që nga ajo orë e deri në mesnatë, Besarta kishte kontaktuar disa herë Fidanin – telefonata e fundit ishte bërë rreth orës 23:00.

Pas telefonatës së fundit, Besarta, së bashku me të pandehurin tjetër të këtij rasti, të miturin A.Ll, kanë shkuar me veturë nga shtëpia e Sali Kastratit në banesën e saj dhe janë ndalur afër “Frizer Agronit”.

Vetura nuk ishte pronë e asnjërit prej tyre pasi që ishte marrë me qira.

Pasi afrohen tek banesa, i mituri i cili kishte vozitur deri aty, vendos të qëndrojë në veturë ndërsa Besarta afrohet ku po e priste Shabi.

“Ajo e fton Fidanin që të ngjiten në tavanin e banesës dhe aty në mënyrë të paskrupullt”, siç thuhet në aktakuzë, “nxjerr revolen dhe qëllon të ndjerin disa herë në kokë dhe në trup duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse”.

Më pas, Besarta thërret të miturin, i cili tash akuzohet për ofrimin e ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes, dhe së bashku mbulojnë viktimën me qese plastike dhe me batanije dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

I mituri akuzohet nga prokuroria edhe se ka fshehur provat e veprës së kryer penale dhe ka shkatërruar revolen me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.

Prokuroria ka propozuar ndër të tjerë edhe 16 dëshmitarë që pritet të dëshmojnë lidhur me këtë rast.

“Gjysmë ore pas të shtënave me armë më ka zënë gjumi”

E pandehura Besarta Harxhi deri më tani ka dhënë disa deklarata të ndryshme lidhur me dyshimin për vrasjen e bërë në mes të 1 dhe 2 majit të vitit 2012, shkruan në aktakuzë.

Në deklaratën e saj të parë të dhënë më 8 maj 2012 në polici, ajo ishte mbrojtur në heshtje duke mos pohuar apo mohuar kryerjen e veprës penale.

Katër ditë më vonë, më 12 maj, ajo kishte pranuar se kishte privuar nga jeta Fidan Shabin sepse, sipas saj, ai e kishte dhunuar në tetor të vitit 2011 por se rastin nuk e kishte paraqitur në polici shkaku i familjes.

Të njëjtën deklaratë ajo e ka përsëritur disa javë më vonë, përkatësisht më 29 maj dhe 26 qershor në prezencën e avokatëve mbrojtës.

Më vonë, kur është pyetur nga prokurori, Harxhi ka mohuar të ketë vrarë Fidan Shabin dhe është arsyetuar se kishte pohuar të kundërtën më herët sepse kishte qenë e “traumatizuar”.

Ajo ka deklaruar në organin e akuzës se ditën kur dyshohet të jetë vrarë Shabi ajo së bashku me vajzën e saj dhe familjarët e tjerë ndodhej në piknik në Rugovë ku kishte shkuar herët më mëngjes dhe ishte kthyer rreth orës 18:00.

Në deklaratën e saj të parë të dhënë më 8 maj 2012 në polici, ajo ishte mbrojtur në heshtje, katër ditë më vonë, kishte pranuar vrasjen e tij ndërsa tani e mohon.

Me të në piknik ishte edhe i afërmi i saj A.Ll, i pandehuri tjetër në këtë rast.

Pasi kishte shoqëruar mysafirët pas kthimit nga pikniku, Besarta kishte rënë në gjumë së bashku më vajzën e saj kur A.Ll e kishte zgjuar dhe i kishte thënë se duhej të dilnin bashkë.

I mituri nuk ishte përgjigjur pyetjes së saj se ku do të shkonin por Besarta i ishte bindur dhe së bashku kishin dalë në veturë dhe sipas urdhrit të të miturit ajo kishte ndalë veturën tek “Frizer Agroni”.

Aty A.Ll kishte dalë nga vetura dhe ajo e kishte pritur deri në ora 02:30 të mesnatës derisa ai ishte kthyer dhe së bashku kishin shkuar në shtëpinë e të ndjerit Salih Kastrati.

Gjysmë orë më vonë, sipas deklaratës së Besartës dhënë në prokurori, ajo kishte dëgjuar të shtëna nga ballkoni i shtëpisë dhe kishte vërejtur së ishte A.Ll ai që kishte shtënë me armë.

Gjysmë ore më vonë, ajo kishte rënë për të fjetur dhe “nuk i kujtohet se çfarë ka ndodhur më pas”.

Nga tërë deklarata e Besartës i mituri ka konfirmuar vetëm shkuarjen në piknik ndërsa ka vazhduar me deklarata që kanë kundërshtuar ato të pandehurës.

“Rreth orës 23:00 bashkë me Besartën kemi dalë me ble bukë sepse nuk kishte në shtëpi”, ka deklaruar i mituri A.Ll.

“Kur kemi shkuar tek ‘Frizer Agoni’ Besarta më ka thënë të pres aty”.

Ai ka deklaruar se e ka pritur të pandehurën një kohë dhe kur ishte nisur të largohej nga vendi ajo e kishte telefonuar. I pandehuri e kishte marrë dhe kishte vërejtur se ajo me vete kishte dy qese plastike njërën prej të cilave e kishte hedhur në kontejner të mbeturinave rrugës derisa ktheheshin në shtëpi.

Prokuroria ndër prova të tjera bazon aktakuzën edhe në telefonata dhe mesazhe telefonike.

Në hartografinë e telefonave, të përpiluar nga policia hetimore, tregohen numrat e telefonit që Besarta dyshohet të ketë përdorur dhe lokacionet nga janë bërë thirrjet telefonike.

Në mes të orës 19:24 dhe 01:04 pas mesnate ajo ka kontaktuar me Shabin gjashtë herë. Tri telefonatat e para, sipas prokurorisë, janë bërë nga qendra e qytetit, telefonata tjetër është bërë nga lagjja Kapeshnicë ndërsa telefonatat tjera janë bërë përsëri nga qendra e qytetit, afër shkollës “Tetë Marsi”.

Sipas thirrjeve telefonike të prokurorisë, Besarta është kontaktuar nga i dyshuari për dhëniën e ndihmës në kryerjen e vrasjes A.Ll, telefonatë kjo që ka zgjatur vetëm 4 sekonda dhe që tregon që ai atë kohë ndodhej në rrugën “Mic Sokoli”.

Në fund të aktakuzës prokurori ka propozuar që të shqiptohet dënim me burg edhe për të miturin.

Gjykimi i të pandehurve ka filluar katër muaj pas ngritjes së aktakuzës, më 21 shkurt 2013.

Në seancën e parë ishte kërkuar nga mbrojtësit e të pandehurve që rasti të gjykohej nga EULEX gjë që është hedhur poshtë nga këta të fundit.Nga Njomza Salihi/gazetajnk/

Më poshtë, mund të KOMENTONI në lidhje me artikullin.


Perkthimet



-->