Filmi shqiptar “Agon”, filmi më i mirë në festivalin amerikan

filmi_1

Filmi Agon u shtua në listën e filmave më të mirë për vitin 2013, realizim i përkryer i
regjizorit të shquar Robert Budina. Filmi luhet me mjeshtëri nga aktori i ri Guljem Kotori
i cili u vlerësua me çmimin “Aktori më i mirë” (Best Actor Award) në Festivalin e Filmit
“Bloody Hero International Film Festival” në Arizonë, SH.B.A. Festivali u mbajt në
shkurt 2013 dhe ceremonia e ndarjes së shpërblimeve ishte me 10 shkurt. Filmi Agon
fitoi çmimin “Filmi më i Mirë” (Best of Fest) me produksion të Era Film, Shqipëri.

“Ky çmim duket sikur erdhi nga hiçi sepse ishte fare i papritur dhe nuk e prisja që filmi
të vlersohej maksimalisht me çmimet më të mëdha të festivalit. Kam parë në garë ishin
pjesa më e madhe filma amerikanë dhe shpresat për një çmim dukeshin fare të vogla.
Anëtarët e jurisë dhanë të gjithë votën maksimale dhe kjo më ka bërë të ndihem shumë
mirë dhe të rihap edhe njëherë projektet për të ardhmen. Mendoj se Guljem Kotori që
fitoi çmimin si Aktori më i Mirë është një talent i ri që dhe në filma të tjerë do të tregojë
se ky çmim nuk ishte aspak rastësi për të. Edhe në raste të tjera ai është vlerësuar nga
njerëz të ndryshëm të industrisë së filmit që kanë parë filmin Agon,” tha regjisori i njohur
Robert Budina.

“Ishte e pa pritur dhe një surprizë shumë bukur për mua. Ky vlerësim më bëri të ndihem
mirë për atë çka unë kam bërë në filmin Agon. Gjithashtu ky çmim më ka bërë të jem
këmbëngulës akoma më shumë në karierën time si aktor dhe pse nuk kam bërë një shkollë
për aktrin dhe nuk po e bëj momentalisht,” u shpreh aktori i talentuar Guljem Kotori.

“Eksperienca në filmin Agon ishte më e bukura ekzperiencë që unë kam pasur deri tani
në jetë, në shumë aspekte. Kjo eksperiencë ka qenë si një shkollë për mua, më ka mësuar
shumë gjera mbi filmin, mbi aktrimin. Falë aktorëve profesionistë që unë kisha në krahë,
me në krye regjizorin Robert Budina dhe falë punës parapregatitore që ne kemi bërë, më
kanë mësuar shumë rreth aktrimit dhe filmit,” shtoi Guljem Kotori.

Filmi u realizua në Selanik dhe në Kapshticë të Korçës. Rolet kryesore luhen nga aktorët
e talentuar: Antonis Kafetzopulos, Guljem Kotori, Isabella Kogevina, Xhevdet Jashari,
Eglantina Cenomeri, Laert Vasili dhe Marvin Tafaj (www.agonfilm.com).

Filmi Agon ishte përzgjedhje zyrtare në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cikago
(Chicago International Festival Film). Gjithashtu, filmi Agon është përzgjedhur në garën
zyrtare të festivalit Bifest të Barit, një nga festivalet më të rëndësishme në Itali. Filmi do
shfaqet me 20 mars 2013 në orën 18:30 në teatrin Petruzelli. Menjëherë pas tij, në orën
20:30, Adriano Çelentano, këngëtari i njohur italian merr çmimin e karrierës si aktor.
Njëkohësisht, filmi Agon është zgjedhur në festivalin South East European Film Festival,
në Los Angeles, Sh.B.A., një festival shumë i rëndësishëm për Hollivudin dhe industrinë
e filmit amerikan, që fillon në maj 2013.

“Ndërkohë po presim përgjigje nga shumë festivale të tjera ku kemi aplikuar.
Njëkohesisht filmi u shfaq në kinematë greke ku u prit shumë mirë, kam marrë shumë

mesazhe nga publiku grek që e ka pëlqyer filmin. Filmi në pjesën më të madhe është
pritur me shumë entuziazëm por nuk kanë munguar rastet kur ka pasur edhe reagime të
forta kundër tij. Mendoj se kjo ndodh për faktin që filmi është shumë provokativ. Shumë
festivale që kanë dashur të marrin fillimisht më pas kanë hequr dorë sepse filmi ka skena
të forta dhune dhe nuk është i lehtë të “përtypet” nga audienca sidomos ajo europiane.
I jemi afruar shumë festivaleve të mëdha si Kane, Venecia, Berlin dhe Tribeca por jemi
eliminuar gjithmonë në çastet e fundit të perzgjdhjes,” tregon regjizori i filmit Agon,
Robert Budina.|LajmeOnline|

Më poshtë, mund të KOMENTONI në lidhje me artikullin.

Perkthimet


-->