Emrat e fëmijëve

bebetEmrat e fëmijëve

Në Europën Kontinentale, qeveritë shpesh i ndalojnë prindërit të vendosin emra të pazakontë, ofensivë apo të çuditshëm për fëmijët e vet të sapolindur. Por në SHBA, prindërit janë krejtësisht të lirë dhe emrat e çuditshëm janë thjesht të çuditshëm, por kurrsesi të ndaluar, sado fyes të jenë

Pse disa vende vendosin kufizime për emrat që mund t’u vihen të sapolindurve?

Një vajzë 15-vjeçare në Islandë fitoi të drejtën për të mbajtur emrin e vet, pavarësisht se ky emër ishte konsideruar “i paaprovuar” nga shteti. Por si ndodh që disa vende mbajnë lista me emra të ndaluar për fëmijët?

Ata që presin të bëhen prindër, shpesh e kanë shumë të vështirë të gjejnë një emër që të dy e pëlqejnë, lëre pastaj një emër për të cilin edhe shteti është dakord.

Bjork Eidsdottir nuk ia kishte idenë pesëmbëdhjetë vjet më parë, kur ia vuri emrin vajzës së vet të sapolindur Blaer, se me këtë emër po shkelte ligjin.

Në sytë e autoriteteve, Blaer, që në gjuhën vendëse do të thotë “Fllad i lehtë”, ishte një emër për djalë dhe rrjedhimisht nuk miratohej për një vajzë. Kjo bëri që për të gjithë fëmijërinë e vet, Blaer njihej në regjistrat zyrtarë thjesht si “vajza”.

Por Gjykata e Qarkut të Rejkjavikut vendosi këtë javë se vajza me të vërtetë mund ta mbajë emrin që i vuri i ati, sepse ai emër mund të konsiderohej edhe emër vajze, pavarësisht se nga pikëpamja gjuhësore mund të konsiderohet si emër djali.

“Më në fund, do të kem emrin Blaer në pasaportën time”, tha ajo pas vendimit.

Në rastin e Islandës, kufizimi i emrave synon të respektojë disa rregulla mbi gramatikën dhe gjininë, me qëllimin për t’i kursyer fëmijës një emër që mund të konsiderohet si qesharak. Në këtë vend ka një listë me 1853 emra vajzash dhe 1,712 emra djemsh dhe prindërit duhet të zgjedhin nga kjo listë ose të kërkojnë leje për një emër jashtë liste nga një komitet i posaçëm.

Shqetësime të tilla mbi mirëqenien e fëmijëve janë të pranishëm në Gjermani, ku një çifti turqish iu ndalua t’ia vënë emrin fëmijës së vet, Osama Bin Laden.

Një çift tjetër, i dha fëmijës së vet emrin Berlin, në përkujtim të qytetit ku ata u njohën, por regjistruesi refuzoi. Në fund, ai pranoi, pasi avokati i familjes vuri në dukje faktin se një gjykatë kishte pranuar emrin Londër.

Konfuzioni me gjininë ndaloi një fëmijë gjerman t’i vihej emri Matti, pasi kjo fjalë nuk jepte idenë nëse ishte vajzë apo djalë. Dhe nuk mund të gjesh gjermanë me emrin Merkel, Schroeder apo Kohl, sepse mbiemrat janë të ndaluar të përdoren si emra të parë.

Në Zelandën e Re, autoritetet ndaluan emrin 4Real, sepse numrat nuk mund të përdoren për emër. Po këtu, një gjykatës lejoi një vajzë të ndërronte emrin e vet. Ajo qe quajtur Talula bën Hula nga Havai.

Kur japonezët regjistrojnë fëmijët e vet, autoritetet mund të refuzojnë emrin, nëse ata mendojnë se është i papërshtatshëm. Në vitin 1993, emri Akuma nuk u lejua, sepse do të thotë “djall”. Britania e Madhe dhe SHBA-ja kanë ligje shumë më liberale në këtë drejtim.

Prindërit në SHBA mund t’u vënë emrin që duan fëmijëve të tyre. Në fakt, shkrimtari Michael Sherrod thotë mbi këtë çështje, se prindërit e konsiderojnë si pjesë themelore të lirisë së vet mosndërhyrjen e shtetit në këtë çështje. “Kur mësova se në vende të tjera ka kufizime në këtë gjë, thjeshtë u habita”, thotë ai. Kështu, ato që në vende të tjera europiane janë emra të ndaluar, në SHBA janë thjesht të çuditshëm. Disa nga këto emra të çuditshëm që ekzistojnë janë: Lettuce, d.m.th Lakër, Mustard M. Mustard, Vagina, Mutton, d.m.th “Mish qengji”, Zyra e postës etj.

Emrat e çuditshëm nuk janë diçka e re. Të dhënat nga censuset e popullsisë në shekujt e 18 dhe 19, tregojnë se në atë kohë kishte njerëz me emrin “Mbreti i gjykimit”, “Rënie fisnike” apo “Epidemia e kolerës”.

Në SHBA, edhe sot ka 20 njerëz që e kanë emrin “Emër”, 458 vetë me emrin “Presje”, 18 vetë të quajtur “Periudhë”. Në SHBA, edhe emrat më agresivë, që përfshijnë fjalë të pista, lejohen. Po pse prindërit mund të bëjnë diçka të tillë?

“Shumë prindër dëshirojnë që fëmijët e tyre të jenë unikë. Ata mendojnë se është gallatë të kenë emra të veçantë dhe se kjo gjë i jep atyre personalitet”, thotë Sherrod.

Por në SHBA, liritë e mëdha civile nuk e bëjnë shumë problem këtë, pasi njerëzit e kanë shumë të thjeshtë dhe shumë të zakonshme të ndryshojnë emrin kur të rriten. Fëmijët me emra të çuditshëm përqeshen shumë kur janë në shkollë, por fillojnë të kenë avantazh më vonë në jetë, kur janë në gjendje të dallohen më lehtë nga emrat e zakonshëm.

Edhe në Britaninë e Madhe, ndodh e njëjta gjë, por këtu ka disa kufizime për emrat agresivë. Gjithsesi, zyra e gjendjes civile në këtë vend këmbëngul se nuk dëshiron kurrsesi që një mosmarrëveshje me prindërit mbi emrat të përfundojë në gjykatë.

Përgjigjja

Arsyeja kryesore e rregullimit ligjor të emrave të fëmijëve është mbrojtja e tyre nga sikleti.

Rreziku i ngatërresave është gjithashtu një faktor. Disa vende kanë rregulla mbi emrat dhe kërkojnë që të tingëllojnë nga pikëpamja gjuhësore femërore për vajzat dhe mashkullore për djemtë.

Numrat janë shumë shpesh të ndaluara për t’u përdorur si emra.

Në shumë vende si Gjermani, Suedi, Kinë dhe Japoni kanë vënë kufizime për emrat.

Më poshtë, mund të KOMENTONI në lidhje me artikullin.


Perkthimet



-->