Dashuria dikur dhe sot

timthumbMënyra se si krijohej dhe konsumohej një lidhje në adoleshencën e prindërve tanë është krejt e ndryshme nga ajo e adoleshentëve të sotëm. Në fakt edhe mosha kur fillohej një lidhje ishte shumë më e vonë dhe lidhja konsiderohej e fshehtë jo vetëm ndaj familjes, por dhe nga opinioni.

Ndërkaq tani një lidhje bëhet shumë e hapur dhe që në start fillojnë problemet. Për dallim nga e sotmja dikur dashuria mbahej gjallë më shumë prej letrave sesa takimeve dhe rrallë mund të pretendohej se kontakti fizik mund të shkonte përtej puthjes.

Shkolla dhe aktivitetet rinore ishin të vetmet ambiente ku të rinjtë mund të njiheshin për të vazhduar më tej një lidhje e cila që në fillim konsiderohej si një lidhje jete.

Ndërkaq sot, shumë lehtë niset një lidhje mes dy të rinjve, dhe shumë shpejt prishet, mbase edhe ndikimi i internetit është bërë një urë lidhëse. Sipas të riut Sazan Berisha, për të nisur një lidhje është mjaft lehtë, mbase hapat e parë mund të bëhen nëpërmjet internetit.

“Tani nëse të pëlqen dikush shumë lehtë mund të biesh në kontakt me të, në fakt edhe unë si shumë shokë të mi jam i fiksuar pas rrjetit social ‘Facebook’ dhe me anë të tij ne mund të njihemi me cilën vajzë të duam. Nuk e kemi të vështirë për këtë, ngase shumë pak femra refuzojnë të flasin apo të dalin për ta pirë qoftë dhe një kafe”, ka thënë ai për “Zërin”.

Për disa të reja koha e takimeve vazhdon të mbetet më problematikja, ngase një pjesë e madhe e prindërve nuk lejojnë që vajzat të dalin në orët e mbrëmjes. Ndërkaq sa i përket takimeve të ditës, të dashuruarit mund të takohen kudo dhe kurdo.

“Thënë sinqerisht ne të rejat dëshirojmë që jetën e natës ta bëjmë sa më mirë, mbase nuk mungojnë edhe daljet me shoqëri. Mirëpo sa i përket lidhjes në dashuri, edhe unë e pranoj se adoleshentët tani po e teprojnë me flirtime. Mirëpo unë mundohem të jem mjaftë e kujdesshme në këtë aspekt”, thotë Gentiana Gashi.

Lidhjet në këtë moshë, ndryshe nga brezat e mëparshme, në përgjithësi nuk quhen serioze nga vetë adoleshentët, ndaj dhe jetëgjatësia e tyre është e justifikuar. Edhe Jehona Jonuzi e pranon faktin se tani një lidhje e dashurisë në mes dy adoleshentëve nuk zgjatë shumë.

“Të nisësh një lidhje të dashurisë dhe t’i japësh fund është bërë një dukuri mjaft e shpeshtë që po ndodh tek të rinjtë. Edhe unë pajtohem me faktin se dy të rinj shpejt hyjnë në një lidhje të dashurisë dhe shpejt i japin fund, pa u merakosur fare. Kam dëgjuar edhe për dashurinë e prindërve tanë në kohën e kaluar, në fakt është një ndryshim drastik me dashurinë e ditëve të sotme. Por ja që po e jetojmë jetën në këtë kohë që patjetër se duhet të ecim në hap me të”, shton ajo.

Sipas Gentës tani po ndikon mjaft shumë edhe presioni i shoqërisë për pasur një lidhje. “Tani thënë të drejtën lidhja e dashurisë bëhet edhe nga presioni i shoqërisë, madje kam dëgjuar të thonë se kur bëhesh 17-18 vjeç është turp të mos jesh në një lidhje dashurie. Por këtë kohë po e sjellin vetë adoleshentët tanë”, shprehet në fund ajo.

Më poshtë, mund të KOMENTONI në lidhje me artikullin.


Perkthimet



-->